LAJMET:

Akademia Politike e PS, një vlerë e shtuar në edukimin politik për Shqipërinë e Gjeneratës tjetër

12 maj 2016

Akademia politike e Partisë Socialiste rinisi sot misionin e saj të edukimit politik, me organizimin e Fondacionit “Qemal Stafa” dhe mbështetjen e fondacionit suedez “Olof Palme”. Akademia Politike e PS është çelur për herë të parë në vitin 2010, e konceptuar si një platformë politike për të krijuar ide të reja, duke iu ofruar të gjithë të rinjve të talentuar dhe me aspirata në fushën politike, një edukim të denjë për të përfaqësuar liderët e së ardhmes.

Për 3 vjet me radhë, 320 studentë, kaluan përmes Akademisë politike, ku u edukuan politikisht me burimet më të mira intelektuale të Partisë Socialiste, me lektorët më të mirë, dhe me burimet njerëzore më të mira të PS dhe të shoqërisë në tërësi. Nga Akademia Politike kane dale shumë të rinj të talentuar që sot janë individë të suksesshëm në të gjithë fushat e jetës.

Akademia rinisi aktivitetin e saj pas 2 vitesh shkëputje, e riorganizuar dhe me një program të ri ambicioz edukues.

* * *

Shumë faleminderit që jeni këtu!

Unë jam i kënaqur që më në fund pas një gjumi të gjatë, por me siguri pas një gjumi për t’u zgjuar me më shumë siguri, Akademia tanimë është gati për të riçelur dyert, me një program ambicioz, falë edhe një bashkëpunimi që garanton cilësi me fondacionin “Olof Palme”, duke përfituar nga eksperienca pozitive e tre viteve, kur Akademia u krijua dhe  mori formën e saj në drejtimin e Saimirit dhe me shpresë duke përfituar nga një përmasë më shumë, që një grua në drejtimin e fondacionit mund të sjelli, bashkë me pasionin, ëndrrat dhe qasjen inovative ndaj realitetit.

E falenderoj Oltën për punën që bëri pas gjumit që Akademia kaloi në një fazë tranzitore nga periudha kur ishim në opozitë, në periudhën kur barra u bë shumë më e madhe dhe kjo strukturë mbeti pak pas dore.

Dua t’ju them pak fjalë lidhur me vlerën që sipas meje ka kjo Akademi, vlerë që e kemi konstatuar në tre vitet e eksperiencës së saj, duke vënë re me kënaqësi se orët e kurseve, të leksioneve, të diskutimeve në akademinë politike, ia vlejnë.

Në radhë të parë, kjo është një akademi politike e Partisë Socialiste. E Partia Socialiste është një shprehje kuptimplotë e të majtës moderne. Të jesh i majtë, do të thotë të besosh se ka dhe më mirë. Të jesh i djathë do të thotë të besosh se ka dhe më keq. Ky është dallimi themelor dhe ky është edhe mësimi i parë i Akademisë.

Për një të majtë, nuk ka kurrë prehje me çka është arritur, por ka gjithmonë ambicie për të shkuar më tutje. Kurse një i djathtë beson që nëse nuk konservojmë atë që kemi mund të përfundojmë dhe më keq. E faktikisht, po të shikoni, kjo është dhe qasja e opinionit dhe njerëzve ndaj të majtës dhe të djathtës, jo në Shqipëri por kudo. Kur qeveris e majta njerëzit thonë gjithmonë, “ka edhe më mirë”. Kur qeveris e djathta thonë, “nuk jemi keq se ka dhe më keq”. Ndërkohë që Partia Socialiste sot, si e majtë moderne, si një e majtë e transformuar falë ADN-së së vet që e ka pjesë të patjetërsueshme nevojën për vetëtransformim, i është përkushtuar një misioni historik. E përdorim shumë ne në Shqipëri fjalën “historike”, por misioni të cilit i është përkushtuar Partia Socialiste në këtë fazë të zhvillimit të vendit është historik. Sepse i është përkushtuar misionit për të qeverisur në emër të gjeneratës tjetër, për të reformuar në interes të gjeneratës tjetër. Për të vendosur disa gurë themeli që për 20 e kusur vite nuk u vendosën, pikërisht sepse ata që e qeverisën vendin nuk patën kurajën të konsumojnë pushtetin e tyre dhe ta shfrytëzojnë mandatin e marrë nga populli për gjeneratën tjetër. Por menduan vetëm për të siguruar mandatin tjetër me shpresën apo me besimin që sa më pak të prekim gjërat që krijojnë tronditje apo ato pikat nevralgjike që e tensionojnë organizmin e shoqërisë, aq më kollaj do ta kemi që njerëzit të na votojnë.

E kështu, u lejua që të ecnim në rrugën e një zhvillimi të paqëndrueshëm. U lejua që njerëzit të ndërtojnë pa leje ku të munden, sepse nuk u gjet kuraja për t’ju thënë, “nevoja juaj për të pasur një shtëpi, dyqan apo hapësirë të jetës dhe aktivitetit tuaj, më të mirë se ajo që keni, është legjitime, por kjo nuk mund të plotësohet duke grabitur hapësirën e përbashkët apo mbi pronën e tjetrit”, - nga meraku se kështu njerëzit do mërziteshin e nuk do votonin. U lejua që njerëzit ta vjedhin energjinë elektrike masivisht, nga meraku se nëse njerëzve do tu thuhej që “energjia nuk vidhet, e për çdo kilovat që shtëpia jote apo dyqani yt harxhon, duhet paguar”, - njerëzit mund të mos votonin, mund të mërziteshin, mund ti kthenin kurrizin partisë në qeveri.

U lejua që të ndërtoheshin piramida universitetesh, të cilat thithnin paratë e prindërve dhe bënin para me ëndrrat e më të rinjve, e nuk u kërkua atyre që shkonin në universitet që realisht ti merrnin me meritë provimet. Njëra palë, pala politike nga meraku se po të ngelnin shumë njerëz në provim nuk do të jepnin votën dhe pala tjetër nga nevoja për të fituar më shumë, falë mbështetjes politike.

Mund të flasim për çdo sektor kështu. U lejua që me pronën të bëhej një gjullurdi e pashoqe dhe sa herë u bë një ligj për pronën, - në mos gabohem, janë bërë 8 ligje dhe është ndërhyrë më shumë se 100 herë në këto 8 ligje, - për me demek të zgjidhur problemin e pronës. Por problemi është ngatërruar më shumë sepse ata që qeverisnin nuk donin të prishenin me asnjë. Edhe me ish pronarët, edhe me ata që kishin ndërtuar pronën e tjetrit, por edhe me të tjerët që nuk kishin patur as pronë, por as nuk kishin ndërtuar. Pra donin ta kishin mirë me të gjithë.

E kështu u kokoleps gjithmonë e më shumë filli i pronës. Të gjitha këto sollën që një gjeneratë e tërë, gjenerata e atyre që lindën në momentin e ndryshimit të sistemit humbën shansin, u privuan nga shumë mundësi. Ashtu sikundër gjenerata e prindërve të rinj që hynë në rrugën e re, humbi dhe ajo shumë shanse dhe shumë mundësi.

Prandaj reformat që ne po bëjmë janë reforma që nuk përcaktojnë zgjedhjet e ardhshme, por përcaktojnë si do të jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër. Përcaktojnë fatin e një gjenerate të tërë dhe prandaj është shumë e rëndësishme që ne të forcojmë aleancën me gjeneratën tjetër që jeni ju dhe që janë ata që janë më të rinj se ju. Një aleancë që është e domosdoshme për të përballuar së bashku, qoftë dhimbjet që shkaktojnë reformat, qoftë padurimin e atyre që janë më të vjetër në moshë dhe që nuk kanë shumë kohë për të pritur akoma, që të shikojnë diçka siç ata besojnë se e kanë merituar dhe siç vërtet e kanë merituar, qoftë edhe përtej kësaj të gjithë lumin e vrullshëm të baltës, të shpifjeve, të reagimit që vjen si pasojë e reformave.

Nuk është thjesht reagim i një beteje politike dhe brenda fushës së betejës politike. Është më shumë se kaq. Është reagimi i të shkuarës. Është inercia e të vjetrës. Është përpjekja e një segmenti të tërë të shoqërisë, jo vetëm politik për t’i rezistuar ndryshimit. Nuk ka reformë pa rezistencë. Nëse s’ka rezistencë nuk është reformë.

Shikoni reformën në drejtësi! Është kyçi për të çelur përfundimisht derën e negociatave me Bashkimin Europian, për të kaluar nga një vend kandidat, në një vend që negocion në tavolinë, për tu bërë anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Europian.

Çfarë e pengon këtë reformë?! Në parim kush mund të thotë dhe mund t’i dalë kundër kësaj nevoje që është një nevojë historike e popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes europiane?! Askush nuk mund të thotë se është kundër kësaj, por ama është qartësisht evidente që kundërshtia ndaj reformës është shumë e fortë. Sepse reforma në drejtësi është një reformë për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.

Shqipëria e Gjeneratës Tjetër nuk mund të ndërtohet pa sakrifica, pa kosto e pa ndëshkueshmëri për çka ka ndodhur. Shqipëria e Gjeneratës Tjetër nuk mund të jetë Shqipëria e pandëshkueshmërisë. Kjo do të thotë se për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër na duhet të përballemi përditë me agresivitetin e forcave konservatore, agresivitetin e një të djathte që është primitive dhe që me të djathtën europiane ka pak ose aspak të bëjë.

Kjo është një përballje për të cilën kemi nevojë për energji të mëdha, dituri të madhe, ndërveprime të shumta. Nuk është një përballje ekskluzive e një partie, e një grupi njerëzish në parlament apo në qeveri. Është një përballje brenda shoqërisë, mes atyre që janë të vetëdijshëm se nuk mund të vazhdojnë më me të njëjtin avaz. Shqipëria po shkonte në një rrugë pa krye, duke i harxhuar në mënyrë të pabesueshme burimet e veta të rritjes, në mënyrën më barbare, duke konsumuar tokën e bukës për ndërtime pa leje, duke prerë pyjet, duke masakruar shtretërit e lumenjve, duke shpërfytyruar peizazhin, plazhet, duke i transformuar rrugët kombëtare të vendit në korridore në dy anët e të cilave lulëzojnë lloj-lloj ngrehinash të shëmtuara.

Të gjitha këto janë zhvillim njësoj siç është zhvillimi i qelizave të kancerit në trupin e njeriut duke ngrënë vetveten.

Akademia politike është e rëndësishme për të folur për këto gjëra. Është e rëndësishme për të diskutuar në lidhje me reformat, jo thjesht për arsyet e reformave, që janë shumë të qarta, por për përmbajtjen e tyre, impaktin e tyre afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë dhe për të pasur një ide se çfarë po mbjellim sot dhe çfarë do korrim nesër.

Reformat nuk janë parada, nuk janë festa, nuk janë dasma, nuk janë gëzime të përbashkëta, ku ka aheng e ku jemi të gjithë të lumtur. Reformat janë operacione shpesh herë shumë të dhimbshme, janë ilaçe shpesh herë shumë të hidhura, por janë e vetmja mënyrë për të kaluar në një fazë tjetër, duke çliruar energji të reja nga organizmi i shoqërisë, e duke i dhënë mundësi individit dhe shoqërisë që të gjejë ekuilibër për të realizuar qëllimet e tyre.

Unë jam shumë besimplotë që kjo Akademi do të japë një kontribut në këtë drejtim dhe që vajzat e djemtë që janë të interesuara për politikën dhe që janë shpirtërisht të lidhur me idealet dhe idetë e të majtës dhe që besojnë se nuk mjafton duke thënë “ka dhe më keq”, por duhet të luftojmë çdo ditë për të thënë “ka dhe më mirë”. Sepse jemi të majtë, do përfitojmë nga kjo akademi.

Ndërkohë që Partia Socialiste është e angazhuar në një proces shumë të rëndësishëm komunikimi me qëllim që të rritet të ripërtërihet në përbërjen e saj sociale. Duhet sa më shumë pasqyrë e shoqërisë dhe e çdo komuniteti aty ku ajo operon dhe që në gjirin e saj te ketë vend për të gjithë, edhe për ata që janë në punë dhe për ata që janë pa punë dhe për ata që punojnë në shtet dhe për ata që punojnë në privat edhe për ata që janë kontributor në sferat e ndryshme të shërbimeve, por dhe për ata që janë të rinj dhe ndoshta në radhë të parë për ata që janë të rinj. Ka filluar një garë e madhe kombëtare FRESSH VOICE për të identifikuar liderët e rinj, të gjeneratës tjetër në PS dhe për ti dhënë mundësinë mijëra dhe mijëra vajza dhe djemve që në këtë proces të kenë zërin e tyre.

Është një garë unikale sepse nuk ka bërë asnjëherë vaki askund në skemat tradicionale që të gjithë pjesëmarrësit në një organizatë që të kenë mundësinë të flasin dhe të dëgjohen në një proces gare, por njëkohësisht ky është një proces që ne duam ta shtrimë përtej akademisë, përtej FRESSH Voice, përtej aktivitetit të përditshëm të rritjes së Partisë Socialiste, në një proces komunikimi të vazhdueshëm, kudo me të gjithë për t’ju dhënë qartësisht idenë se çfarë jemi duke bërë në çdo aspekt dhe se çfarë presim, kush janë ata që presim, sot nesër pasnesër e kështu me radhë.

Ajo që ndodh nuk mund të ishte ndryshe. Reagimi shkon në ekstrem si shprehje e një reaksioni ndaj ndryshimit, por dhe si shenjë dëshpërimi ndaj vendosmërisë sonë për ta bërë ndryshimin tonë.

Nuk është e rastit  që reformat tona më të suksesshme dhe ata që i udhëheqin ato me vendosmëri sulmohen më shumë dhe sulmohen në ekstrem, në një përpjekje për të kriminalizuar çdo reformë, për të kriminalizuar çdo vendimmarrje, për të kriminalizuar çdo operacion që ne bëjmë, duke u përpjekur t’i thonë njerëzve se kjo bëhet jo për këtë që duket, por për diçka tjetër që nuk e shikoni. Bëhet për korrupsion, bëhet për lidhjet me krimin, bëhet për këtë bëhet, për atë, etj. Njësoj siç reagonte regjimi i vjetër ndaj të resë ndaj modernitetit, ndaj përpjekjes për ta parë të ardhmen me guxim dhe për të mos menduar vetëm sot për sot.

Ka shumë njerëz që reagojnë keq kur shohin të çelet një muze i ri apo të ndërtohet një stadium i ri. “Ne s’kemi bukë. Ju bëni stadiume, muzeume, qendra qytetesh.” Ky është një reagim i kuptueshëm, kur vjen nga njerëz të varfër dhe të dëshpëruar, por është pervers kur vjen nga njerëz të pasur që flasin në emër të të varfërve që i thonë vetes opozita dhe alternativa qeverisëse e këtij vendi. Sepse nuk ka asnjë provë në historinë e njerëzimit që shëmtia dhe shkretia kulturore dhe sociale ka sjellë më shumë bukë. E kundërta është e vërtetë. Të thuash një herë buka, pastaj shpirti, pastaj mendja, është një perversitet i madh politik sepse këto janë të gjitha gjëra që shkojnë bashkë. Njerëzit jetojnë sëbashku dhe tek cilësia e vendbanimit të tyre gjejnë forcat, marrin energjitë dhe frymëzohen për të përmirësuar jetën e tyre, për të punuar më shumë, për të fituar më shumë, për të bërë më shumë për familjen, për fëmijët e tyre. Kurse në një shkretëtirë të shëmtuar njerëzit nuk kanë të njëjtët motive. Këto janë gjëra të provuara, të stërprovuara, në historinë e zhvillimit të vendbanimeve, në historinë e qyteteve, komuniteteve shteteve. Nuk kemi ne asgjë për të shpikur këtu. Mjafton të shohim se çfarë i sjell qyteteve, ndryshimet që po bëjmë ne. Se çfarë i sjellin komuniteteve, edhe muzeumet, edhe stadiumet. Se çfarë sjell mundësia për të pasur më shumë akses në kulturë, më shumë akses në sport. Më shumë akses të përbashkët në mjedisin e jetës sociale. Prandaj me kurajë dhe me pasion ta çojmë përpara këtë betejë më të gjitha kostot.  Çdo betejë ka një çmim për të paguar dhe ne jemi gati ta paguajmë.  Sepse ne nuk e kemi marrë mandatin për të shtyrë qëndrimin tonë në karrige. Ne e kemi marrë mandatin që deri ditën e fundit të bëjmë gjënë e duhur për njerëzit e këtij vendi dhe mbi të gjitha për fëmijët e këtij vendi, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, për të mos ju tradhtuar ju dhe ata që janë më të vegjël se ju dhe për të mos ju faturuar ju, me një kosto shumë të lartë mungesën e vullnetit dhe pasionit për ti bërë sot reformat. Për të mos qënë ne mjeku që gënjen njeriun në nevojë. Dhe që në vend se t’ia thotë të vërtetën në sy dhe në vend se ta bindë që ti nënshtrohet operacionit sa do të vështirë,  ti japë karamele, limonata, kasata, çokollata e ti thotë vazhdo, se ka dhe më keq.

Shumë faleminderit edhe ju uroj  suksese Oltës dhe gjithë organizatorëve. Falënderoj edhe fondacionin Olof Palma! Falenderoj dhe ju të gjithëve! Ju nxis të aplikoni. Kush do të aplikojë dhe do të fitojë të vazhdojë me pasion. Kurse kush do të aplikojë dhe nuk do të fitojë, ta vazhdojë edhe me më pasion betejën për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Shumë faleminderit!

*Fjala e  Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetar i PS Edi Rama në riçeljen e Akademisë Politike të PS në bashkëpunim me fondacionin “Qemal Stafa” dhe fondacionin suedez “Olof Palme”

LAJME TE TJERA:

Postoj një koment

Ju lutem plotësoni emrin

Ju lutem plotësoni adresën e saktë të emailit

Shkruani mesazhin tuaj

PROGRAMI:
Përfshihu: