LAJMET:

Gati për të realizuar reformën në drejtësi

10 maj 2016

-      Ambasadorët kërkuan zbatimin e  afateve të vendosura nga Bashkimi Europian për miratimin në kohë të reformës. Çfarë garancie i ka dhënë mazhoranca dy ambasadorëve?

Ambasadorët i bien pragut të dëgjojë dera dhe dera nuk është këtu. Ne këtu jemi krejtësisht të hapur dhe tërësisht në mbështetje për të realizuar reformën në drejtësi. Të ishte për ne, do të ishte tanimë e votuar. Ambasadorët erdhën këtu jo sepse kërkuan të marrin në dorë qeverisjen e Shqipërisë, as për të vënë kandidaturën për të drejtuar Partinë Socialiste, as për të shprehur ndonjë nënvlerësim apo aq më pak, përçmim për ne, siç u ngutën të thonë zëdhënësit e politikës më të vjetër, por sepse përfaqësojnë 29 shtete, ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, të cilat në nivelet më të larta, që nga Presidenti Obama, Kancelarja Merkel, Sekretari Kerry, Federica Mogherini e me radhë dhe deri tek përfaqësuesit e tyre këtu, janë të interesuar për këtë reformë.  Kjo është një reformë historike për Shqipërinë, që nuk është vetëm në interesin e Shqipërisë, por edhe në interesin e  Bashkimit Europian, e forcave progresiste që janë ende shumicë dërrmuese në Bashkimin Europian, që duan të hapin negociatat me Shqipërinë.

Fjalimi i Presidentit Obama në Londër ishte shumë i qartë; SHBA mbështesin një Bashkim Europian sa më të fortë dhe pjesë të forcimit të Bashkimit Europian shikojnë edhe procesin e zgjerimit apo, siç do ta quaj unë, të plotësimit, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit, ku Shqipëria është partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita e ambasadorëve ishte stacioni i parë i unazës, për të arritur tek dera dhe këtu i ranë pragut që ta dëgjojë dera.

Partia Demokratike, dje nxori një parakusht kryesor reformën zgjedhore dhe votimin elektronik. A mund të jetë ky një kushtëzim për të gjitha reformat, siç ata e kanë cilësuar?

Më bëni një pyetje, përgjigjen e të cilës, besoj, e kanë mësuar edhe peshqit e Liqenit Artificial, me kaq shumë sa kanë dëgjuar për reformën në drejtësi dhe për faktin se kjo është reforma dhe reforma nuk mund të kushtëzohet me asgjë. Janë gjëra të ndryshme, janë gjëra të ndara.

Përsa i përket reformës zgjedhore, ne jemi absolutisht të gatshëm dhe të hapur të diskutojmë, të negociojmë, të gjejmë çdo rrugë që çon më tutje rrugën e ndërtuar deri këtu, për të pasur zgjedhje sa më të mira, sa më dinjitoze në çdo qendër votimi. Por ç’lidhje ka kjo me reformën në drejtësi, ma tregoni!

E kundërta është e vërtetë. Reforma në drejtësi do të ndihmojë edhe zgjedhjet, do të bëjë të mundur që zgjedhjet të jenë edhe më të mira, sepse prezumohet se rendi ligjor do të jetë edhe më i fortë, nëse ne do ta kalojmë pa humbur kohë, do të fillojmë procesin e vetingut pa humbur kohë, do t’i vëmë traun të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve që duan të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit, apo që duan të promovohen në sistem dhe para  se kjo të ndodhë, të kalojnë në një skanim të imët të të gjithë veprimtarisë dhe të pasurisë së tyre, që do të thotë se kjo ndihmon drejtpërdrejt edhe procesin zgjedhor dhe çdo proces tjetër, çdo aktivitet e ndërveprim  në Shqipëri, mes qytetarit e shtetit, mes kompanive në tregun e lirë të konkurrencës, mes nxënësve, studentëve, mësuesve e pedagogëve, kudo.

-      A është ky kushtëzim i PD arsye për të cilën ambasadori Lu e cilësoi reformën në drejtësi si në një udhëkryq të pazakontë?

Unë nuk dua të diskutoj këtu për kushtëzime. Kushtëzimet janë shprehje, në rastin më të mirë dobësie dhe në rastin më të keq mungesë vullneti për të trajtuar çështjen që kemi në tavolinë. Është një çështje me rëndësi historike. Është një reformë që ndryshe nga të gjithë reformat e tjera ka mbështetjen e mbarë popullit shqiptar pa dallim, socialistë dhe demokratë. Është reforma për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Është një reformë që na jep mundësinë që në 10 vjet, që është pak a shumë koha për të parë vendin anëtar me të drejta të plota në BE, ne të kemi një sistem drejtësie dinjitoz. Jo më pak e rëndësishme të hapim menjëherë negociatat këtë vit. Parafytyroni vetëm një gjë, vitin e ardhshëm ka zgjedhje në Gjermani, ka zgjedhje në Francë dhe nëse ne humbim këtë moment të krijuar, nëse ne tresim këtë mbështetje të jashtëzakonshme që nga Shtëpia e Bardhë, në Kancelarinë në Berlin, dhe në të gjithë zyrat kryesore të Brukselit për “cic-mice” gërr-mërr”-e apo halle të x-it apo të y-it, kjo është një humbje që mund të na kushtojë vite të tëra më pas sepse nuk e dimë se ku do të ndodhet Europa dhe cili do të jetë humori dhe predispozita e BE vitin e ardhëm.

-  Nëse opozita do të vijojë me qëndrimin e saj...

Unë nuk flas me “nëse”. Unë e kam thënë dhe e përsëris. Unë kam bindjen se kjo reformë sado që të vonojë, nuk do të mungojë, dhe do të kalojë pa e djegur këtë shans fantastik për Shqipërinë - që çeli një epokë të re në sistemin e drejtësisë, - të vërë me shpatulla pas murit prokurorët dhe gjykatësit  e korruptuar, të vendosë një tjetër standard për etikën dhe integritetin në ushtrimin e detyrës të zyrtarëve të larë dhe të na hapë dyert e negociatave për BE.

-       Në emër të kësaj reforme historike, PS dhe LSI  mund ta miratojnë dhe vetëm.

PS dhe LSI ose e thënë ndryshe partnerët strategjikë të shumicës qeverisëse, kanë qënë qysh ditën e parë të vendosur për ta mbështetur këtë reformë. E unë jua kam thënë kur ju se besonit. Sot po e shikoni vetë që edhe nuanca në qëndrime, ka qënë një nuancë  e lidhur me profilin e ndryshëm të forcave tona politike dhe të detyrave tona në koalicion, por aspak më ndonjë luhatje apo me ndonjë qëndrim evaziv, nga askush ndër ne. Ne duam reformën në drejtësi dhe do t'i japim reformës të gjithë mbështetjen tonë.

PD ka të gjithë mundësitë në tryezën e reformës të ngrejë problemet. Ne jemi të hapur në atë tryezë të diskutojmë të bëjmë më të mirën. Nuk besoj që çdo që PD thotë, është gabim. Nuk besoj që në çdo gjë që ata ngrenë shqetësime e kanë gabim, por besoj që duhet të korrigjojnë një orë e më parë pozicionimin. Duhet të qëndrojnë në tavolinë, duhet të jenë të vendosur për reformën dhe duhet të na çlirojnë të gjithëve nga kjo barrë shumë e madhe që është një barrë mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar në fund të fundit. Nuk është një barrë mbi partitë politike që i përfaqësojnë shqiptarët.

-      Në mbledhjen e grupit parlamentar sot keni patur një deputet më pak. Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin zotit Kokëdhima.

Unë nuk komentoj vendimet e gjykatave. Unë thjesht nënvizoj që në këndvështrimin tim edhe ai vendim është një arsye më shumë për mua dhe për ne që ne të bëjmë një reformë të drejtë, të vërtetë, reale në sistemin e drejtësisë.

*Prononcim i Kryeministrit Edi Rama dhe njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste

LAJME TE TJERA:

Postoj një koment

Ju lutem plotësoni emrin

Ju lutem plotësoni adresën e saktë të emailit

Shkruani mesazhin tuaj

PROGRAMI:
Përfshihu: