LAJMET:

PD sebepe për të bllokuar reformën në drejtësi

12 maj 2016

Ndodh rëndom këtu në Parlament që pa filluar rendi i ditës, në emër të procedurave parlamentare, të spekulohet. E dëgjova kolegun e opozitës për tre problemet e para që ulëriti, anatemoi ,për Kushtetutën, për shtetin dhe për hajdutërinë apo korrupsionin.

Lidhur me Kushtetutën, do doja ti kujtoja kolegut që të mos qajë kaq shumë. Kjo Kushtetutë është miratuar në vitin 1998, kur ju nuk morët pjesë fare në të, por do ta deligjitimonit atë. Këtë Kushtetutë e anatemuat gjatë tetë viteve që ishit në opozitë, 1998-2005. Madje nga kjo foltore ku folët ju dhe unë tani, ju e keni quajtur as më shumë as më pak, por leckë. Këtë Kushtetutë pasi erdhët në pushtet dhe qeverisët për tetë vite 2005-2013, e shkelët plot 40 herë, me vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese.

Anatemoni për një vendim që mori Gjykata Kushtetuese në raport me një  kolegun tonë, të cilin nuk është aspak e vërtetë që ne nuk e kemi pranuar. Përkundrazi, kur flet gjykata ne heshtim, pavarësisht nga rezervat që kemi për to në kuadër të bërjes së reformës.

E dyta për shtetin, të gjithë përgjeroheni për shtetin. Për cilin shtet përgjeroheni ju? Për shtetin e 96-ës dhe 97-ës? Ky ishte shteti që bëtë ju! Për cilin shtet përgjeroheni ju, për grushtin e shtetit që bëtë në vitin 1998? Për cilin shtet përgjeroheni ju, për atë shtet që bëri Gërdecin? Për cilin shtet përgjeroheni ju, për shtetin e 21 Janarit?

Dëgjova një kolegun tuaj që përmendi marrëveshjen e 1 prillit! I them zotërisë se: “ I ke buzët me qumësht t’i për ta zënë me gojë, është marrëveshje e nënshkruar në 2 prill”.  Për 2 prillin që zë ti me gojë, mua  që më shikon ti këtu edhe moralisht, edhe politikisht, edhe penalisht, kam shkuar 30 herë në gjykatë. Kam shkuar moralisht dhe politikisht atje përpara shkodranëve. Kam shkuar para drejtësisë dy herë në Shkodër. Kurse ky i “21 Janarit” tënd dhe i Gërdecit tënd apo edhe i “Rrugës tënde të Kombit” i ka shpëtuar me procedurë drejtësisë dhe nuk ka vajtur asnjëherë përpara saj. Me kë po flet ti! Prandaj i ke buzët me qumësht për ta zënë në gojë! Është një det i tërë që na ndan, nga e majta në të djathtë. Pra, për cilin shtet flisni, për shtetin e “21 Janarit”, të Gërdecit, të asaj rrugës që bëtë pa projekt, pa preventiv, pa tender me një rekord korrupsioni? E flisni për korrupsionin, hajdutërinë etj etj!

Ku fle e gjitha gjëja? Edhe ky propozimi që keni bërë sot?

Ne jemi në një proces për rishikimin e neneve të Kushtetutës, pikërisht për të luftuar krimin, korrupsionin, etj. Ju në vend që të jepni kontribut çdo ditë e më shumë, nxirrni ndonjë sebep. Ju nuk jeni dakort sepse nuk jeni dakord me shtetin, nuk jeni dakord me ligjin, nuk jeni dakord me moskapjen e drejtësisë, nuk jeni dakord me luftën kundër krimit dhe korrupsionit sepse e dini që të ndëshkuarit e parë do jeni pikërisht ju. Në qoftë se do t’i kishit të vërteta këto që thoni, bujrum. Mos bëni deklarata, qoftë me dije, për ta shtyrë në kalendat greke se nuk thoni dot atë që ndjeni dhe atë që keni vendosur, ‘JO’-në. Nuk e thoni dot ‘JO’-në. Po doni të bëni shtyrje, shtyrje, shtyrje...me kalendat greke që ajo të mos miratohet, me qëllim që negociatat të mos hapen.

Sot dorëzuat një amendim, një javë më parë bëtë të njëjtën gjë, javën tjetër do sillni diçka tjetër. Ne këtë e dimë e megjithatë ne jemi po kaq të vetëdijshëm që ne do të vazhdojmë për të ndërtuar shtetin, për të bërë reforma, për të bërë edhe këtë kryereformë që e presin 97% e qytetarëve, që e presin të gjithë ndërkombëtarët. Nuk është problemi se e bëjmë për ata, por e bëjmë për vete. Sigurisht që është e vështirë sepse kjo reformë nuk është vetëm numra.

Prandaj në qoftë se duhet të jemi serioz me veten kur flasim për Shtetin, kur flasim për Kushtetutën, kur flasim për dekriminalizimin, kur flasim për luftën kundër korrupsionit, nuk duhet të ngremë një mjegullnajë dhe tullumbace këtu në Parlament, por duhet ta kapim demin prej briri. Dhe demi prej briri kapet  duke bërë reformën në drejtësi. Nisma e sotme, për të cilën unë nuk kam asnjë vërejtje, le të ndjekë rrugën e saj Kushtetuese, meqenëse ju përgjeroheni për Kushtetutën. Por e vërteta është se ju nuk doni atë që edhe dje me të madhe e keni refuzuar, moszhvillimin e reformës në drejtësi.

*Fjala në seancën e sotme parlamentare, e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi

LAJME TE TJERA:

Postoj një koment

Ju lutem plotësoni emrin

Ju lutem plotësoni adresën e saktë të emailit

Shkruani mesazhin tuaj

PROGRAMI:
Përfshihu: